Transmetuar më 20-06-2026, 13:15

TIRANË – Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria nuk mund të drejtohet nga presioni i turmave apo nga reagimet e momentit, duke theksuar se destinacioni i saj politik nuk ndryshon nga “zhurma” e protestave.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se nuk e pranon që Tirana të kthehet në një “tur sfilate” për grupe që, sipas tij, bllokojnë institucione apo infrastrukturë të rëndësishme, si aeroporti.

“Kjo qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës duhet të dëgjojë kritikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por nuk mund të ndryshojë drejtimin sa herë që fryn era”, tha ai.

Kryeministri përdori edhe një referencë nga mitologjia greke, duke sjellë shembullin e Odiseut përballë sirenave. Sipas tij, ashtu si Odiseu u lidh pas anijes për të mos devijuar nga rruga, edhe një qeveri duhet të mbetet e fokusuar te objektivat e saj strategjikë.

“Një qeveri duhet të dëgjojë gjithçka që thuhet, por nuk mund t’i dorëzojë drejtimin e saj zhurmës. Sa më shumë të rritet zhurma, aq më shumë një grup udhëheqës duhet të forcojë identitetin dhe vendosmërinë e tij”, deklaroi Rama.

Në përfundim, kreu i qeverisë theksoi se një “mision historik” nuk mund të realizohet nëse drejtimi politik ndryshon vazhdimisht sipas rrethanave apo presioneve të momentit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit