

TIRANË – Valëzimi i protestave masive në kryeqytet ka hyrë në ditën e tij të 21-të, ndërsa përgjatë orëve të fundit raportohet edhe për fluks të shtuar të shqiptarëve të diasporës që po kalojnë pikat kufitare për t’iu bashkuar tubimit në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Përballë kësaj situate, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mbajë një qëndrim kritik dhe ironizues ndaj përmasave që ka marrë ky reagim qytetar, si në terren ashtu edhe në hapësirën virtuale.
Gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se vendi po përballet me një vorbull të madhe reagimesh që i kalon kufijtë kombëtarë, duke u ndalur specifikisht te debati mjedisor dhe politik i nxitur nga zona e Zvërnecit.
"Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë. Kjo vorbull përfshiu të reja, të rinj, patriotë dixhitalë, komedianë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, njerëz nga të gjitha kontinentet, media sociale dhe tradicionale, parti politike në Europë dhe në SHBA, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Shqipërisë. Natyrisht edhe karavidhet opozitare të vendit tonë. Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë Sanders, iu turrën oligarkisë botërore", u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë, ky mobilizim është ndikuar ndjeshëm nga ajo që ai e konsideron si një "histeri të kanaleve sociale", duke sulmuar si opozitën vendase, ashtu edhe faktorët e jashtëm që sipas tij po tentojnë të shfrytëzojnë këtë situatë.
"Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, Flamingot, me fundin e kazanit dixhital", përfundoi kryeministri.
Pavarësisht toneve injoruese të mazhorancës, lëvizja në terren nuk tregon shenja tërheqjeje. Organizatorët e protestës bëjnë me dije se me bashkimin e trupës së emigrantëve që po mbërrijnë në Tiranë, tubimi do të përshkallëzohet më tej, duke mbajtur nën presion të vazhdueshëm selinë e qeverisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






