Transmetuar më 19-06-2026, 23:12

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe aleancës së NATO-s, në një deklaratë për rrjetin amerikan NBC, duke ngritur tensionet mes Uashingtonit dhe Romës.

Trump deklaroi se nuk ka marrë mbështetjen që priste gjatë zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit.

“Meloni ishte një mbështetëse fanatike e imja, por tani nuk e dua më as si fanse, sepse ajo nuk qëndroi pranë meje, as ajo dhe as NATO-ja”, u shpreh Trump.

Deklarata vjen pas një serie komentesh të tij kritike ndaj kryeministres italiane, përfshirë pretendimet se ajo i ishte “lutur për një foto” gjatë samitit të G7, të cilat u mohuan nga pala italiane.

Kryeministrja italiane reagoi duke i cilësuar deklaratat e Trump si “trillime të pastra”, duke shprehur habi për mënyrën se si presidenti amerikan po sillet ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara.

“Jam sinqerisht e habitur. Nuk e di pse presidenti i SHBA-ve sillet kështu ndaj aleatëve të tij”, deklaroi Meloni në një reagim publik.

Ajo shtoi gjithashtu se Italia nuk vepron nën presion dhe se marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të bazohen në respekt reciprok mes partnerëve.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur pas raportimeve se qeveria italiane ka refuzuar përdorimin e një baze ajrore në Siçili për operacione amerikane në kontekstin e krizës me Iranin. Po ashtu, dallime janë shfaqur edhe në qëndrimet politike brenda aleancës perëndimore.

Raportet u komplikuan më tej pas përplasjeve publike lidhur me qëndrimet ndaj Papës Leo XIV, duke thelluar më tej distancën politike mes Uashingtonit dhe Romës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit