Transmetuar më 19-06-2026, 22:01

Po zhvillohet mbrëmjen e së premtes protesta e 20-të radhazi e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, me mijëra qytetarë të mbledhur përpara Kryeministrisë në Tiranë, në kërkim të dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, një nga organizatorët, aktivisti Arben Kola, deklaroi se protestës pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga diaspora.

“Nesër vjen mërgata, kanë prerë biletë pa kthim”, u shpreh ai.

Edhe aktivistja Luçiana Kokaj, në fjalën e saj, tha se shumë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës po kthehen në Shqipëri për t’iu bashkuar protestave në kryeqytet.

“Ne jemi këtu dhe do të jemi derisa të shporrim këtë qeveri… ka me mijëra që mund të na çojnë përpara në BE”, deklaroi ajo.

Pavarësisht se protesta ka hyrë në javën e tretë, pjesëmarrja vijon të mbetet e lartë, ndërsa organizatorët e konsiderojnë mobilizimin si shenjë të pakënaqësisë në rritje ndaj qeverisë dhe klasës politike.

Tubimi i sotëm vjen një ditë pas marshimit të protestuesve drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku për herë të parë u ndryshua itinerari tradicional i protestës.

Gjatë protestës së djeshme nuk u raportuan incidente me forcat e rendit, megjithatë u regjistrua një moment tensioni verbal pranë selisë së Partisë Demokratike, ku disa protestues artikuluan kritika edhe ndaj opozitës.

Lëvizja, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projekteve në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, është zgjeruar gradualisht në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe establishmentit politik.

Ndërkohë, procedimet penale të nisura nga Policia e Tiranës ndaj disa organizatorëve dhe pjesëmarrësve nuk kanë ndikuar në uljen e mobilizimit, sipas organizatorëve, të cilët i konsiderojnë këto masa si përpjekje për të frenuar protestën.

Ashtu si në ditët e mëparshme, pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit pritet të vijojnë marshimin në akset kryesore të kryeqytetit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit