Transmetuar më 19-06-2026, 21:58

Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në pikën e kalimit kufitar Krystallopigi, në anën greke të kufirit me Kapshticën, ku kolona e mjeteve ka kaluar dy kilometra dhe udhëtarët janë detyruar të presin për më shumë se një orë për të përfunduar procedurat e kalimit.

Sipas udhëtarëve, situata është shkaktuar nga reduktimi i sporteleve të punës nga ana e policisë kufitare greke, si dhe nga zbatimi i procedurave të reja të kontrollit, të cilat përfshijnë marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës së çdo udhëtari.

Këto procedura kanë rritur ndjeshëm kohën e përpunimit në kufi, duke krijuar vonesa të konsiderueshme dhe trafik të rënduar në të dy anët e kalimit kufitar.

Problematika, sipas qytetarëve, është vërejtur që në fazat e para të implementimit të sistemit të ri dhe vijon të ndikojë në qarkullimin e lirë të udhëtarëve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Situata bëhet veçanërisht shqetësuese në prag të sezonit turistik veror, kur pritet rritje e ndjeshme e fluksit të lëvizjeve ndërkufitare.

Qytetarët kërkojnë shtim të sporteleve dhe masa për përshpejtimin e procedurave, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata dhe lehtësimin e kalimit në pikën kufitare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit