

Kanë përfunduar fjalimet përpara Kryeministrisë, pas të cilave protestuesit kanë nisur marshimin simbolik në rrugët e Tiranës, si pjesë e protestës së vazhdueshme që po zhvillohet prej disa ditësh në kryeqytet.
Qytetarët, të cilët prej 18 ditësh marrin pjesë në tubime të përditshme, janë zhvendosur nga bulevardi kryesor dhe kanë vijuar marshimin me pankarta dhe thirrje në rrugët e qytetit.
Protesta, e cila ka si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, është shoqëruar gjithashtu me kritika ndaj gjithë klasës politike, përfshirë edhe opozitën.
Gjatë tubimeve është artikuluar edhe slogani “Opozita jemi ne”, i cili reflekton qëndrimin e një pjese të protestuesve që kërkojnë një përfaqësim të ri politik dhe distancim nga partitë tradicionale.
Protestuesit kanë theksuar se përgjegjësia për situatën aktuale politike dhe sociale nuk i atribuohet vetëm mazhorancës, por edhe opozitës, duke kërkuar ndryshim të gjerë në sistemin përfaqësues.
Marshimi i tyre ka vijuar në disa akse kryesore të kryeqytetit nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa tubimi është zhvilluar në mënyrë paqësore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






