Transmetuar më 19-06-2026, 21:19

Debati mbi politikat e emigracionit ka shkaktuar përplasje të reja mes liderëve evropianë gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Europian, ku kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u pozicionuan në qëndrime të kundërta.

Diskutimi u hap pas ndërhyrjes së kryeministres daneze Mette Frederiksen, e cila përshëndeti votimin e Parlamentit Evropian mbi rregulloren e re për kthimin e emigrantëve dhe kërkoi një debat strategjik në nivel europian për menaxhimin e migracionit.

Megjithatë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu kundërshtimin e tij ndaj kësaj qasjeje, duke argumentuar se nuk ka nevojë për diskutime të reja strategjike dhe se rregullorja e propozuar nuk do të sjellë rezultate efektive në praktikë.

Në këtë moment, ndërhyri Giorgia Meloni, e cila kritikoi ashpër vendimin e qeverisë spanjolle për legalizimin e një numri të madh emigrantësh pa dokumente. Sipas saj, kjo politikë nuk ka ndikim vetëm brenda Spanjës, por krijon pasoja edhe për vendet e tjera të Bashkimit Evropian, duke ndikuar në mënyrën e menaxhimit të flukseve migratore në nivel rajonal.

Debati u tensionua më tej me përfshirjen e kryeministrit belg Bart De Wever, i cili mbështeti qëndrimin e Frederiksen, duke deklaruar shkurtimisht: “Unë jam në ekipin e Mettes”.

Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të debatit, presidenti i Këshillit Europian, António Costa, vendosi të ndërpresë diskutimin, duke bërë të ditur se çështja e migracionit do të trajtohet në mënyrë më të detajuar në një samit të ardhshëm të BE-së.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit