

Është hequr porta metalike dhe gardhi që për vite me radhë kufizonin hyrjen drejt plazhit të Kakomesë, vetëm dy ditë përpara protestës së paralajmëruar për të dielën në këtë zonë.
Sipas raportimeve, struktura është çmontuar me ndihmën e një vinçi, ndërsa deri më tani nuk dihet se cili institucion apo subjekt ka dhënë urdhrin për heqjen e saj.
Ngjarja vjen pas rreth 20 ditësh protestash dhe reagimesh qytetare në nivel kombëtar, kundër asaj që organizatorët e lëvizjes e konsiderojnë si kufizim të aksesit publik në bregdet dhe përvetësim të hapësirave publike dhe private.
Heqja e pengesës fizike ndodh në një moment kur ishte paralajmëruar një protestë masive në zonën e Kakomesë, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga disa qytete të vendit.
Përfaqësues të protestës e kanë interpretuar këtë zhvillim si rezultat të presionit të vazhdueshëm qytetar dhe rritjes së vëmendjes publike ndaj çështjes.
Sipas tyre, largimi i portës përbën një hap të rëndësishëm drejt garantimit të aksesit të lirë në një zonë që prej vitesh ka qenë objekt debatesh mbi pronësinë dhe përdorimin e saj.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me rrethanat e heqjes së strukturës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






