Transmetuar më 19-06-2026, 20:38

Hetimet mbi vrasjen e Eglant Koçit në Tiranë kanë zbardhur një zinxhir veprimesh të detajuara që çuan në identifikimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i dyshuar si autor i krimit dhe i zhdukjes së trupit të viktimës.

Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka ndodhur më 4 qershor, kur Koçi dyshohet se është qëlluar për vdekje me armë zjarri në një ambient pranë shkollës “Ismail Qemali” në kryeqytet. Të nesërmen, më 5 qershor, Shakaj dyshohet se ka organizuar zhdukjen e trupit, duke e transportuar fillimisht me automjetin e tij dhe më pas në zona të thella malore jashtë Tiranës.

Hetimet tregojnë se trupi i pajetë është futur në një automjet tip “Porsche”, i cili më pas është transportuar me karrotrec deri në zonën e Ibës, me pretendimin se do të dërgohej në servis. Nga aty, autori i dyshuar ka vijuar lëvizjen drejt zonave rurale dhe malore të rrethinës së Tiranës, duke përdorur rrugë dytësore dhe terren të vështirë.

Sipas të dhënave hetimore, itinerari i ndjekur përfshin zona si Mollagjesh, Funar dhe Cërrujë, përpara se të arrihej në një zonë të thellë malore të identifikuar si Maja e Korrës, ku dyshohet se është hedhur trupi i viktimës.

Autoritetet e cilësojnë këtë lëvizje si një përpjekje të qëllimshme për të humbur gjurmët, duke përdorur njohjen e terrenit dhe rrugëve rurale që nuk frekuentohen zakonisht.

Megjithatë, hetimet zbuluan disa elemente kyçe që çuan në identifikimin e autorit të dyshuar. Një ndër provat kryesore ka qenë sinjali i telefonit celular, i cili, sipas ekspertëve, ka ndihmuar në përcaktimin e lëvizjeve të fundit të Shakajt përmes analizës së të dhënave teknike.

Gjithashtu, dëshmitë e banorëve dhe barinjve të zonës kanë ndihmuar në rindërtimin e itinerarit të automjetit në fshatrat e thella të zonës.

Pas disa ditësh kërkimesh intensive, trupi i pajetë i Koçit është gjetur në një zonë të pyllëzuar në Majën e Korrës, pas përdorimit të dronëve dhe operacioneve në terren nga forcat e rendit.

Pas ngjarjes, Shakaj është kthyer në Tiranë, ku fillimisht është marrë në pyetje nga policia në kuadër të hetimeve paraprake. Sipas burimeve hetimore, ai ka mohuar përfshirjen në ngjarje dhe ka dhënë deklarime kontradiktore.

Megjithatë, dy ditë më vonë, pas analizimit të provave materiale dhe teknike, ai është identifikuar si autori i dyshuar i vrasjes dhe i zhdukjes së trupit të viktimës.

Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht motivin e krimit dhe rrethanat e ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit