Transmetuar më 19-06-2026, 20:28

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar në parim një marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes dy vendeve, si dhe për kryerjen e kontrolleve të koordinuara në kufi.

Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja parashikon krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit kufitar dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional mes autoriteteve të dy shteteve.

“Ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Nisma ishte paralajmëruar më herët edhe nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të cilat theksuan se sistemi i ri synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, duke përshpejtuar procedurat dhe rritur sigurinë në pikat kufitare, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Zbatimi i projektit do të nisë fillimisht në pikën kufitare të Qafë Thanës, e cila do të shërbejë si fazë pilot. Më pas, modeli pritet të shtrihet gradualisht edhe në pika të tjera kufitare mes dy vendeve.

Për funksionimin e plotë të sistemit mbetet që marrëveshja të formalizohet përmes nënshkrimit nga ministritë e Brendshme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit