Transmetuar më 19-06-2026, 19:10

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka njoftuar anulimin e vizitës së planifikuar në Shtetet e Bashkuara më 21 dhe 22 qershor, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Në një reagim publik, Tajani i cilësoi komentet e Trump si “serioze dhe ofenduese”, duke theksuar se ato nuk prekin vetëm figurën e kryeministres, por edhe dinjitetin e Italisë si shtet.

“Deklarata të tilla nuk mund të konsiderohen thjesht komente personale. Ato prekin institucionet dhe imazhin e vendit tonë”, mësohet të ketë deklaruar kreu i diplomacisë italiane, duke konfirmuar se vizita zyrtare në Washington nuk do të zhvillohet sipas planifikimit.

Vendimi vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes Romës dhe Washingtonit dhe shihet si një sinjal politik i pakënaqësisë së qeverisë italiane ndaj retorikës së përdorur nga presidenti amerikan. Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga administrata amerikane lidhur me anulimin e vizitës.

Përplasja diplomatike u nxit pas një interviste të Trump për një media italiane, ku ai deklaroi se Meloni i ishte “lutur” për të realizuar një fotografi së bashku gjatë samitit të G7 dhe se ai kishte pranuar vetëm “nga keqardhja”.

Deklaratat u kundërshtuan menjëherë nga kryeministrja italiane, e cila i cilësoi ato si të pavërteta dhe të fabrikuara.

“Historia e treguar nga Trump është shpikur plotësisht dhe nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur realisht”, u shpreh Meloni, duke shtuar se komentet e presidentit amerikan përbëjnë një shtrembërim të fakteve.

Kryeministrja italiane shprehu gjithashtu habinë për mënyrën se si presidenti amerikan po sillet ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se respekti institucional duhet të mbetet themel i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Anulimi i vizitës së Tajanit pritet të ketë jehonë në qarqet diplomatike perëndimore, pasi ndodh në një periudhë kur bashkëpunimi transatlantik përballet me sfida të shumta politike dhe gjeopolitike. Analistët e shohin këtë zhvillim si tregues të një tensioni në rritje mes Romës dhe Washingtonit, i cili mund të ndikojë në dinamikën e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit