

Një person ka mbetur i plagosur me thikë këtë të premte në Tiranë, në zonën e Ali Demit, pranë minibashkisë, pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka nisur pasi një shtetas ka hedhur mbeturina në zonë, duke sjellë një debat verbal me një tjetër person, i cili më pas ka përshkallëzuar në dhunë fizike dhe përdorimin e një mjeti prerës.
I plagosur ka mbetur Dritan Aga, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është identifikuar nga policia, ndërsa po punohet për kapjen e tij.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hodo Beg”, ku gjatë konfliktit janë dëmtuar dy persona, ndërsa njëri prej tyre është larguar nga vendngjarja. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Në rrugën “Hodo Beg”, gjatë një konflikti dyshohet për motive të dobëta, është dëmtuar me mjet prerës shtetasi D. A., rreth 41 vjeç si dhe me grushte shtetasi J. G., rreth 61 vjeç.
Autori i dyshuar i rastit është shtetasi E. J., rreth 32 vjeç, i cili është larguar nga vendngjarja. Shërbimet e Policisë po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Të dëmtuarit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






