

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Ilir Selmanin, një nga të pandehurit në procesin që lidhet me vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Vendimi u mor pasi Apeli pranoi kërkesën e Selmanit, duke konstatuar se masa e sigurisë “arrest në burg” kishte humbur fuqinë për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Si rrjedhojë, trupa gjykuese urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të pandehurit nga ambientet e paraburgimit dhe transferimin e tij në banesën private në Tiranë, ku do të qëndrojë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ngarkon Prokurorinë dhe Policinë Gjyqësore me mbikëqyrjen e vazhdueshme të zbatimit të masës së re, duke garantuar qëndrimin e Selmanit në banesë.
Ilir Selmani është mes personave të akuzuar në dosjen e atentatit ndaj Santiago Malkos, i ekzekutuar në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë në gusht të vitit 2019. Procesi gjyqësor ndaj të pandehurve vijon ende në strukturat e posaçme të drejtësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






