Transmetuar më 19-06-2026, 13:42

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, trupi i të cilit u gjet i pajetë më 18 qershor në zonën e Cerrujës, mes Tiranës dhe Elbasanit.

Sipas informacioneve paraprake, nga këqyrja e trupit është konstatuar një plagë tejshpuese në pjesën e pasme të kokës, e dyshuar se është shkaktuar nga një armë zjarri. Megjithatë, shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas ekspertizës mjeko-ligjore.

Trupi i viktimës është transportuar në morg, ku specialistët do të kryejnë ekzaminime të mëtejshme për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Identifikimi i 34-vjeçarit u bë nga familjarët e tij, pasi policia arriti të lokalizonte trupin me ndihmën e dronëve. Ai u gjet në një zonë të thellë të fshatit Cerrujë, në lagjen Domush, në gjendje të avancuar dekompozimi.

Në reagimin zyrtar, Policia e Tiranës bëri me dije se shërbimet policore dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e rrethanave të saj.

Eglant Koçi rezultonte i zhdukur prej rreth dy javësh. Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë shpallur në kërkim shokun e tij të ngushtë, Armand Shakaj, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me ngjarjen.

Hetimet vijojnë, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore dhe veprimet e mëtejshme të organeve ligjzbatuese.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit