Transmetuar më 19-06-2026, 12:16

Ishte kthyer në tmerrin e taksistëve dhe biznesmenëve, kush është 27-vjeçari i dyshuar për 6 grabitje brenda pak ditësh. U kap pas grabitjes së një taksisti, 27-vjeçari dyshohe autor i 6 vjedhjeve me dhunë në Tiranë, Krujë dhe Durrës

Tiranë – Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Taksimetri”, duke vënë në pranga një 27-vjeçar të dyshuar si autor i një sërë grabitjesh me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve të ftohta në Tiranë, Krujë dhe Durrës.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për shtetasin Trashgim Maçi, i cili u arrestua menjëherë pas grabitjes së ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor Tiranë–Elbasan. Ai dyshohet se, pasi hipi si pasagjer në një taksi, kërcënoi drejtuesin e mjetit me mjet prerës dhe i mori një shumë parash si dhe varësen që mbante në qafë.

Pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan kërkimet dhe arritën ta lokalizonin e ta ndalonin 27-vjeçarin në fshatin Qeha, pranë zonës ku kishte kryer grabitjen.

Gjatë operacionit u sekuestruan varësja e vjedhur dhe një telefon celular.

Hetimet e mëtejshme të kryera në kuadër të operacionit “Taksimetri” kanë zbuluar se Trashgim Maçi dyshohet të jetë autor edhe i pesë rasteve të tjera të vjedhjeve me dhunë ose nën kërcënim, të kryera gjatë muajit qershor.

Sipas Policisë, më 5 qershor 2026 ai dyshohet se ka vjedhur një shumë eurosh nga portofoli i një qytetari në tregun e Fushë-Krujës.

Pesë ditë më vonë, më 10 qershor, ai dyshohet se ka hyrë në një biznes në rrugën “Llazi Miho” në Tiranë, ku nën kërcënimin e një mjeti prerës ka marrë një shumë parash dhe një varëse floriri.

Më 12 qershor, në rrugën “Skënder Kosturi” në Tiranë, 27-vjeçari dyshohet se ka kërcënuar me një send të ngjashëm me armë zjarri pronarin e një biznesi, duke i grabitur varësen e floririt dhe duke e goditur me grusht.

Një tjetër rast i atribuohet datës 15 qershor në fshatin Derven të Fushë-Krujës, ku ai dyshohet se, nën kërcënimin e një mjeti prerës, i ka marrë një taksisti një shumë parash, dy telefona celularë dhe një orë dore.

Po ashtu, më 17 qershor në fshatin Shënavlash të Durrësit, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një tjetër drejtuesi taksie, duke i marrë portofolin me para dhe telefonin celular.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të 27-vjeçarit dhe për të verifikuar nëse ai është i përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit