

Tiranë, 19 Qershor 2026 – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masa drastike ndaj tre vëllezërve Bushgjokaj, duke vendosur izolimin e tyre për një periudhë 3-mujore. Ky vendim vjen si pasojë e përplasjes fizike dhe dhunës së ushtruar prej tyre brenda kafazit të xhamit në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) ndaj të pandehurit tjetër, Petrit Çakri.
Gjatë seancës së zhvilluar ditën e sotme në GJKKO, e cila kishte si objekt zëvendësimin e masës së sigurisë, tre vëllezërit Bushgjokaj kanë tentuar të arsyetojnë veprimet e tyre duke pretenduar përpara trupit gjykues se kanë qenë të provokuar nga Çakri. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë kësaj seance, ndërsa tre vëllezërit shfrytëzuan rastin për t’i kërkuar ndjesë zyrtare prokurorisë dhe gjykatës për incidentin e shkaktuar.
Pavarësisht ndjesës dhe pretendimeve të tyre, Gjykata e Posaçme ka vendosur të rrëzojë kërkesën e vëllezërve Bushgjokaj për zëvendësimin e masës "arrest me burg" me një masë më të lehtë sigurie, duke i lënë ata në qeli.
Të katërt shtetasit e përfshirë në këtë konflikt akuzohen nga drejtësia për rrëmbimin dhe më pas hedhjen në lumë të shtetasit Renis Dobra, ngjarje e rëndë kjo e ndodhur vitin e kaluar në rrethin e Matit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






