Transmetuar më 19-06-2026, 12:00

Rama mbledh të shtunën Grupin Parlamentar të PS-së, në fokus negociatat me BE-në, investimi në Zvërnec dhe zhvillimi turistik i Sazanit

Kryeministri Edi Rama do të drejtojë paraditen e së shtunës mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku përveç deputetëve socialistë do të marrin pjesë edhe anëtarët e kabinetit qeveritar.

Sipas informacionit të siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, mbledhja do të hapet nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryeministri Edi Rama.

Pika e parë e rendit të ditës lidhet me procesin e integrimit evropian. Deputetët do të informohen mbi përfundimet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, si dhe mbi ecurinë e deritanishme të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Në këtë sesion, secili deputet do të ketë në dispozicion dy minuta për të ngritur pyetje ose për të kërkuar sqarime.

Një tjetër çështje e rëndësishme në agjendë është paketa e ligjeve që lidhen me procesin e integrimit evropian. Deputetët do të informohen mbi ndryshimet dhe nismat ligjore që konsiderohen të domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pika që pritet të tërheqë më shumë vëmendje ka të bëjë me investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit. Deputetët socialistë do të njihen me procedurat e ndjekura deri tani për këtë projekt, i cili ka qenë në qendër të diskutimeve publike gjatë javëve të fundit.

Në mbledhje është parashikuar gjithashtu një raportim nga Arbjan Mazniku, në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Administrative. Ai do të informojë deputetët mbi ecurinë e reformës territoriale dhe hapat e ndërmarrë deri më tani në këtë proces.

Ndërkohë, Taulant Balla do të paraqesë një raport të zgjeruar mbi detyrat e lëna nga mbledhja e mëparshme e Grupit Parlamentar, duke u ndalur edhe te performanca e deputetëve socialistë dhe angazhimet e tyre politike.

Mbledhja do të mbyllet me fjalën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe të kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

Mbetet për t’u parë nëse gjatë fjalës së tij kryeministri Rama do të komentojë zhvillimet e fundit që lidhen me deputeten Martjana Koçeku, si edhe deklaratat e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, lidhur me protestën, të bëra publike përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook rreth 10 ditë më parë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit