

GJKKO lë në burg vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakrin, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës
Tiranë – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për katër personat e akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e të riut Renis Dobra.
Bëhet fjalë për vëllezërit Kristi, Fation dhe Aleksandër Bushgjokaj, si dhe bashkëpandehurin Petrit Hoxha, i njohur ndryshe si Petrit Çakri. Kërkesa e tyre për zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të lehtë u rrëzua nga gjykata.
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të premte, tre vëllezërit Bushgjokaj i kërkuan ndjesë gjykatës dhe prokurorisë për incidentin e ndodhur në seancën e mëparshme, ku u përfshinë në një përplasje fizike me të bashkëakuzuarin Petrit Çakri brenda kafazit të sigurisë në sallën e gjyqit.
Megjithatë, ata këmbëngulën se reagimi i tyre kishte ardhur pas provokimeve dhe deklaratave që, sipas tyre, ishin shpifëse nga ana e Çakrit.
Pas incidentit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mori masë disiplinore ndaj tre vëllezërve, duke i vendosur në izolim për një periudhë tre mujore.
Në seancën e sotme, Petrit Çakri nuk ishte i pranishëm, ndërsa avokatët e të pandehurve kërkuan zbutjen e masës së sigurisë, kërkesë që nuk u pranua nga trupa gjykuese.
Katër të dyshuarit akuzohen për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025 në zonën e Matit. Sipas akuzës, pas krimit, trupi i të riut dyshohet se është hedhur në lumë për të fshehur gjurmët.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa të katërt të pandehurit do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






