Transmetuar më 19-06-2026, 12:01

Tiranë, 19 Qershor 2026 – Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Policinë e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gjeneralitetet”. Gjatë këtij operacioni është zbuluar dhe shkatërruar një laborator i mirëfilltë që shërbente për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme zyrtare, duke vënë në pranga tre persona në flagrancë.

Në pranga kanë rënë shtetasit H. M., 53 vjeç dhe S. M., 24 vjeç (babë e bir), të cilët kishin vënë banesën e tyre në dispozicion të këtëj aktiviteti kriminal, si dhe bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. V., 37 vjeç.

Tarifat 3000-5000 euro për një dokument dhe baza në Rrushkull

Sipas hetimeve zyrtare, dy të arrestuarit (babë e bir) kishin përshtatur shtëpinë e tyre në fshatin Rrushkull të Durrësit në një laborator të pajisur me logjistikën e nevojshme elektronike. Në këtë ambient prodhoheshin dokumente të falsifikuara si diploma universiteti, dëshmi dhe dokumente të tjera shkollore, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe formularë aplikimesh për institucione të ndryshme. Për çdo dokument të falsifikuar, grupi siguronte përfitime të paligjshme monetare që varionin nga 3,000 deri në 5,000 euro për person.

Në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë laborator, strukturat e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar:

46 dokumente (shkollore, gjyqësore, certifikata) të dyshuara plotësisht të falsifikuara;

2 vula të dyshuara false të institucioneve të ndryshme;

3 kompjuterë që përpunoheshin për prodhimin e dokumenteve;

6 aparate celularë të përdorur për komunikimet me klientët.

Materialet procedurale i janë kaluar zyrtarisht Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme penale, ndërsa strukturat hetimore po vijojnë punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të tjerë të përfshirë ose që kanë përfituar nga ky rrjet kriminal.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Gjeneralitetet”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë.

Zbulohet një laborator për falsifikim të dokumenteve, kundrejt shumave 3000-5000 euro.

Sekuestrohen 46 dokumente (shkollore, gjyqësore, certifikimi dhe aplikimesh) të dyshuara të falsifikuara, 2 vula të dyshuara false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë.

Arrestohen 3 shtetas: babë e bir që kishin vënë banesën, në dispozicion të kësaj veprimtarie kriminale, dhe bashkëpunëtori i tyre.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimit e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve, të dyshuar të përfshirë në mënyrë të organizuar, në falsifikim të dokumenteve, në një ambient të përshtatur për këtë qëllim, është finalizuar operacioni i koduar “Gjeneralitetet”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit H. M., 53 vjeç dhe S. M., 24 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. V., 37 vjeç.

Gjatë kontrolleve rezultoi se të arrestuarit kishin përshtatur banesën e shtetasve H. M. dhe S. M., në fshatin Rrushkull, Durrës, për falsifikim të dokumenteve si: diploma, dokumente shkollore të tjera, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente për aplikime në institucione të ndryshme. Në këtë ambient u gjetën 2 vula false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe dhjetëra dokumente të dyshuara false.

Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit, për këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit