

Vlorë, 19 Qershor 2026 – Një ngjarje e pazakontë dhe potencialisht e rrezikshme ka ndodhur pranë zonës së Plazhit të Vjetër në Vlorë, ku një qytetare ka hasur rastësisht në një sasi armatimi dhe lëndësh plasëse të braktisura. Shtetasja Elizabeta Shehaj ka gjetur në rrugë tre granata dore dhe dy armë zjarri, të cilat në kushtet e panikut ka zgjedhur t’i hedhë në një kanal aty pranë.
Sipas dëshmisë së vetë qytetares, ajo ka qenë duke u kthyer nga puna në momentin që ka dalluar një objekt të dyshimtë të mbështjellë. Pasi ka konstatuar se bëhej fjalë për armë zjarri të tipit kallashnikov dhe granata, ajo ka njoftuar një kalimtar të rastit dhe më pas ka vepruar duke i larguar nga rruga drejt kanalit.
“Isha duke ardhur nga puna dhe pashë një kallash të mbledhur me peshqir. Gjeta edhe tre granata. Pastaj lajmërova edhe një qytetar. Unë i hodha poshtë në kanal, bëra gabim se mund të shpërthenin”, ka rrëfyer më tej Elizabeta Shehaj, duke pranuar se veprimi i saj i nxituar mbartte rrezikshmëri të lartë për shkak të pranisë së lëndëve plasëse.
Në vendngjarje pritet të mbërrijnë forcat e policisë dhe ekspertët xhenierë për të bërë rrethimin e zonës, peshkimin dhe sigurimin e armatimit nga kanali, si dhe për të nisur hetimet mbi origjinën e këtyre armëve dhe personat që i kanë braktisur ato në një zonë të frekuentuar publike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






