Transmetuar më 19-06-2026, 10:14

Nju Jork, 19 Qershor 2026 – Disa të shtëna me armë zjarri kanë shkaktuar panik pasditën e së enjtes në sheshin ikonik "Times Square" në Nju Jork, pikërisht në zonën ku po zhvillohej parada festive e skuadrës së basketbollit, New York Knicks, për fitimin e titullit kampion në NBA. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut (NYPD) bëri me dije se nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar dhe as të arrestuar deri më tani.

Sipas forcave të rendit, efektivët iu përgjigjën menjëherë një raportimi për të shtëna me armë në këtë zonë tejet të populluar, e cila përveç tifozëve të basketbollit, është e mbingarkuar edhe nga sportdashësit e shumtë që janë mbledhur në qytet për shkak të ndeshjeve të Kupës së Botës në Futboll. Policia konfirmoi se hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve janë duke vijuar me intensitet të lartë.

Një video e shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale ka dokumentuar momentet e tensionit dhe panikut masiv mes qytetarëve, të cilët filluan të vrapojnë sapo u dëgjuan krismat e njëpasnjëshme në mes të sheshit.

Ky incident i rëndë erdhi në një ditë historike feste për qytetin, teksa ekipi i Knicks po festonte titullin e tij të parë në NBA që nga viti 1973. Gjithashtu, masat e sigurisë në Nju Jork janë mjaft të larta për shkak se Shtetet e Bashkuara po presin aktualisht Botërorin e Futbollit, ku një pjesë e ndeshjeve po luhen në stadiumin e afërt të East Rutherford.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit