Transmetuar më 19-06-2026, 10:11

Tiranë, 19 Qershor 2026 – Qeveria shqiptare ka vendosur të ndërpresë funksionimin e Bordit të Transparencës për Karburantet, duke i kthyer tregut të hidrokarbureve lirinë e plotë të përcaktimit të çmimeve. Vendimi u bë i ditur zyrtarisht nga Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Bordi i Transparencës u ngrit si një mekanizëm emergjence më 23 Mars 2026, me qëllim ngrirjen e marzheve të fitimit dhe tavanizimin e çmimeve të naftës e benzinës, pas shtrenjtimit galopant që pësoi tregu ndërkombëtar si pasojë e shpërthimit të konfliktit ushtarak në Lindjen e Mesme.

Sipas deklaratës së ministres Ibrahimaj, ky vendim vjen si pasojë e stabilizimit të situatës në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e arritura në bursën "Platts" kanë njohur rënie të ndjeshme javët e fundit.

“Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve. Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Çmimi prej dy javësh ka ardhur duke u reduktuar, në bursë ka rënë”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj gjatë konferencës për mediat.

Me shpërbërjen e këtij bordi, i cili gjatë muajve të operimit ka qenë shpesh në qendër të debateve mes grupimeve të biznesit dhe konsumatorëve, çmimet e shitjes me pakicë në pikat e karburanteve në të gjithë vendin do të rregullohen sërish nga ligjet e ofertës dhe kërkesës në tregun e lirë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit