

Tiranë, 19 Qershor 2026 – Ministria e Financave ka propozuar një projektligj të ri për taksimin e pasurive të paluajtshme, i cili pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si llogaritet detyrimi vjetor për pronat në Shqipëri. Ndryshimi kryesor konsiston në rritjen e shkallës së taksës dhe aplikimin e një formule të re diferencuese për banesën e parë, duke rritur ndjeshëm barrën financiare për pronat me vlerë të lartë tregu.
Sipas draftit të ri, shkalla e taksës për ndërtesat e banimit propozohet të rritet në 0.1% deri në 0.2% të vlerës së pronës, nga 0.05% që është aktualisht në fuqi. Kjo do të thotë se shkalla bazë e taksimit pëson një rritje prej 2 deri në 3 fish.
Si funksionon lehtësia për banesën e parë?
Formula e re parashikon një mekanizëm lehtësues për banesën e parë, por me kufizime të qarta që mbrojnë shtresat e mesme dhe taksojnë më shumë pronat e luksit. Përjashtimi nga taksimi funksionon mbi parimin e "pragut maksimal të zbritjes", i cili është i ndarë në 7 kategori bashkish:
Kategoria e parë (Bashkia Tiranë): Pragu maksimal i zbritjes është 8.4 milionë lekë.
Kategoria e dytë (Durrës, Himarë, Vlorë, Sarandë): Pragu maksimal i zbritjes është 4.75 milionë lekë.
Mekanizmi i llogaritjes ndiqet në dy rrugë, bazuar në vlerën totale të shtëpisë:
Nëse vlera e shtëpisë është MË E ULËT se dyfishi i pragut të zonës: Qytetari përfiton zbritje të plotë prej 50% të vlerës së shtëpisë si të patatueshme. Taksa llogaritet vetëm mbi gjysmën e mbetur të vlerës.
Nëse vlera e shtëpisë TEJKALON dyfishin e pragut të zonës: Qytetari nuk përfiton më zbritje 50% të vlerës totale, por i zbritet nga vlera vetëm shuma fikse e pragut maksimal. Pjesa tjetër e mbetur taksohet e plotë.
Shembull konkret llogaritjeje për Tiranën:
Për një shtëpi të parë me vlerë 10 milionë lekë në kryeqytet: Meqenëse kjo vlerë është nën dyfishin e pragut të Tiranës (8.4 mln lekë x 2 = 16.8 mln lekë), prona përfiton zbritjen prej 50%. Taksa do të llogaritet mbi 5 milionë lekë.
Me shkallën e propozuar prej 0.1%, detyrimi do të jetë 5,000 lekë në vit, duke mos pësuar ndryshim nga sa paguhet aktualisht me formulën e vjetër (0.05% mbi vlerën totale pa zbritje).
Përllogaritet se me sistemin aktual (ku taksa është 0.05% mbi çmimet e referencës të përditësuara në vitin 2023), detyrimi vjetor për një apartament 90 m² në Tiranë varion nga 3,600 deri në 10,200 lekë në vit, në varësi të zonës kadastrale. Me formulën e re, qytetarët që zotërojnë banesa brenda standardeve mesatare nuk do të pësojnë rritje të ndjeshme, ndërsa ata që zotërojnë shtëpi të shtrenjta dhe që kalojnë tavanet e përcaktuara do të paguajnë detyrime shumë herë më të larta.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






