

Tiranë, 19 Qershor 2026 – Sektori i ndërtimit në Shqipëri po vijon të njohë një zgjerim masiv e të paprecedent përgjatë vitit 2026. Sipas përllogaritjeve të realizuara nga revista ekonomike “Monitor”, bazuar në ecurinë e taksave lokale, rezulton se vetëm për 5 muajt e parë të këtij viti janë dhënë leje ndërtimi për rreth 2 milionë metra katrorë sipërfaqe. Kjo shifër është tejet afër rekordit të vitit 2024, ku për të gjithë vitin u dhanë 2.5 milionë metra katrorë (nga vetëm 333 mijë m² që ishin në vitin 2015), çka dëshmon për një valë të re e edhe më intensive ndërtimesh, kryesisht kullash e rezortesh.
Ky vrull i ri zhvillimi po ndodh në kushtet e një mungese të theksuar transparence nga ana e institucioneve. Që prej vitit 2025, INSTAT nuk publikon më të dhëna të plota mbi sipërfaqet e lejeve, pasi instituti raporton vetëm dokumentet e miratuara nga bashkitë (që arritën në 1.3 milionë m² në 2025). Në këtë pasqyrim lihen jashtë lejet për objektet mbi 7 kate që miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU). Megjithatë, katër mbledhjet e fundit të KKTU-së, ku janë shqyrtuar qindra kërkesa për projekte të mëdha rezidenciale e turistike, konfirmojnë se ritmi i miratimeve mbetet i lartë.
Dëshmia më e qartë indirekte e këtij "boom"-i vjen nga arkëtimet e pushtetit vendor. Për periudhën janar-maj 2026, nga taksat lokale janë mbledhur rreth 24 miliardë lekë, duke shënuar një dyfishim (rreth 12.7 miliardë lekë më shumë) në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ky zë ka qenë aq i fortë sa ka përbërë 37% të të gjithë rritjes së buxhetit të shtetit për këtë 5-mujor. Sipas Ministrisë së Financave, rreth 50-60% e këtyre të ardhurave vijnë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (e cila në Tiranë, Durrës e Vlorë varion nga 4 deri në 8% të vlerës referuese të shitjes). Financat tërheqin vëmendjen se varësia e lartë e bashkive nga ky zë ciklik paraqet rreziqe për qëndrueshmërinë afatmesme të të ardhurave.
Sekuestrimet e SPAK zbulojnë pastrimin masiv të parave të kokainës në ndërtim
Paralelisht me këtë rritje galopante, aksionet e fundit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë konfirmuar dyshimet e kahershme se sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme po përdoret si kanali kryesor për pastrimin e parave me burim kriminal. Vetëm përgjatë muajit qershor, SPAK ka goditur rrjete të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës, duke vendosur sekuestro preventive mbi asete që kapin vlerën e qindra miliona eurove.
Ndër rastet më domethënëse është ai i kompanisë “Nova Construction”, e konsideruar si një nga shoqëritë simbol të ndërtimit të kullave shumëkatëshe në Tiranë. Me vendim gjykate, asaj i janë sekuestruar tre kulla në kryeqytet, në kuadër të një mase sekuestro preventive që kap vlerën e mbi 128.4 milionë eurove, për shkak të dyshimeve të investimit të të ardhurave nga krimi.
Së fundmi, më 16 qershor, SPAK njoftoi sekuestrimin e një tjetër pakete të gjerë pasurish, ku përfshihen vila, apartamente, troje dhe aksione kompanish në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë në Tiranë dhe zonat bregdetare, me një vlerë totale prej rreth 150 milionë eurosh. Sipas hetuesve të SPAK, është provuar se shuma të mëdha të fituara nga trafiku i drogës janë futur në Shqipëri në formë fizike "cash" për të shmangur sistemin bankar, për t’u investuar më pas direkt në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në projektet e mëdha të ndërtimit në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






