

Tiranë, 19 Qershor 2026 – Kryeqyteti shqiptar do të jetë sot dëshmitar i protestës së 20-të radhazi të qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe reformimin e plotë të sistemit nën moton "Shqipëri e re". Sipas organizatorëve, mijëra pjesëmarrës pritet të mblidhen fillimisht në sheshin "Skënderbej" për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë.
Kjo tubim pason zhvillimet e ditës së djeshme, ku protestuesit u zhvendosën përpara selisë së Kuvendit të Shqipërisë, pikërisht në kohën kur brenda saj po zhvillohej seanca plenare me praninë e kreut të qeverisë. Gjatë daljes së deputetëve nga salla, qytetarët krijuan kordonë bllokues duke thirrur në kor: “Parlament o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”.
Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, pjesëmarrësit kanë artikuluar qartë kërkesat e tyre për largimin e asaj që e konsiderojnë si klasa e vjetër politike e vendit. Pas përfundimit të fjalimeve përpara parlamentit, tubuesit marshuan në rrugët kryesore të Tiranës, duke ftuar pjesën tjetër të popullsisë të ndërgjegjësohet përmes thirrjeve “Bashkohuni me ne” dhe “Nesër më shumë”.
Lëvizja qytetare tashmë ka marrë përmasa të gjera kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u shtrirë edhe në diasporën shqiptare. Tubime mbështetëse me të njëjtat kauza janë regjistruar nga komunitetet e emigrantëve në metropole dhe shtete të ndryshme si Londër, Mynih, Berlin, Zvicër, Holandë, Francë, Norvegji, Austri, SHBA dhe në qendrën e institucioneve europiane në Bruksel.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






