

Prishtinë – Tre persona kanë mbetur të plagosur, dy prej tyre nga arma e zjarrit, pas një konflikti të dhunshëm që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Papa Gjon Pali” në lagjen Matiçan të Prishtinës.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila njoftoi se rreth orës 20:00 ka marrë informacion për një përleshje fizike mes disa personave.
“Rreth orës 20:00, Policia ka pranuar informatën për një përleshje fizike në mes të disa personave në rrugën ‘Papa Gjon Pali’ në Prishtinë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare tre persona kanë mbetur të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, deklaroi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur si një përleshje fizike me shkopinj bejsbolli mes pesë personave, por më pas situata ka eskaluar me përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë, dy persona janë plagosur nga të shtënat, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime gjatë përplasjes.
Burime të medias në Kosovë bëjnë të ditur se në konflikt dyshohet se janë përfshirë dhëndri dhe vjehrri, konkretisht shtetasit E. Pacolli dhe F. Xheladini, megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi identitetin e personave të përfshirë.
Motivet që çuan në konflikt mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka shoqëruar dhe po interviston të paktën tre persona në lidhje me ngjarjen, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësive.
Gjendja shëndetësore e të plagosurve nuk është bërë ende e ditur nga autoritetet.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






