Transmetuar më 18-06-2026, 22:27

Kapërceu murin e burgut dhe u zhduk, dalin emri dhe detajet e arratisjes së shqiptarit në Itali

Janë zbuluar detaje të reja mbi arratisjen e bujshme nga burgu i Brindisit në Itali, ku protagonist ishte një 23-vjeçar me origjinë shqiptare.

Media italiane La Repubblica që citon noa.al, raporton se i riu quhet Xhuljano Quku, i dënuar për trafik droge dhe kundërshtim të një zyrtari publik. Ai po vuante një dënim prej katër vitesh në burgun e Brindisit.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, arratisja ndodhi mëngjesin e së enjtes. Në momentin e hapjes së oborrit të shëtitjes, 23-vjeçari ka kapërcyer murin që rrethon zonën e ajrimit dhe më pas është ngjitur mbi murin e jashtëm të sigurisë, duke arritur të largohet nga institucioni penitenciar.

Arratisja vuri menjëherë në alarm autoritetet italiane, të cilat nisën një operacion të gjerë kërkimi në provincën e Brindisit.

Megjithatë, liria e tij zgjati vetëm pak orë. Pas kontrolleve intensive, forcat e policisë arritën ta lokalizonin dhe arrestonin në zonën e Latianos, pranë banesës së të fejuarës së tij.

Sipas mediave italiane, hetuesit kishin përqendruar kërkimet pikërisht mes Latianos dhe Mesagnes, qytet ku Quku jetonte përpara arrestimit.

Pas arrestimit, 23-vjeçari u rikthye në burg, ku përveç dënimit ekzistues do të përballet edhe me akuza të reja për arratisje.

Ndërkohë, arratisja ka ndezur debat në Itali lidhur me kushtet e sigurisë në burgun e Brindisit. Sindikata e Policisë Penitenciare (SAPPE) ka denoncuar mungesën e personelit dhe mbipopullimin e institucionit.

Sipas sindikatës, në momentin e arratisjes polici i shërbimit ishte i detyruar të mbikëqyrte disa sektorë njëkohësisht, përfshirë edhe zona me të burgosur nën mbikëqyrje të lartë.

SAPPE pretendon se në burgun e Brindisit ndodhen rreth 270 të burgosur, ndërsa numri i efektivëve është vetëm 120, situatë që sipas tyre rrezikon seriozisht sigurinë e institucionit. Për këtë arsye, sindikata ka paralajmëruar se do të depozitojë kallëzim pranë prokurorive në rajonin e Pulias për mungesën e personelit dhe kushtet e vështira në burgje.

Xhuljano Quku

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit