

Tiranë – Arkitekti dhe ish-zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës së zhvillimit urban në disa zona të bregdetit shqiptar, duke e cilësuar Palasën si një shembull të dështimit afatgjatë në planifikimin territorial.
Në një intervistë për Radar.al, Shkreli deklaroi se ndërtimet intensive në Palasë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në peizazh dhe ekosistem.
“Një nga shembujt e një dështimi afatgjatë të qëndrueshëm është Palasa, si një varrezë gjigante. Varrezat kanë gjelbërim, kurse ajo është një masë e madhe si gurore”, u shpreh ai.
Sipas Shkrelit, kërkesa e lartë për prona në bregdet ka nxitur zhvillime të shpejta, por jo gjithmonë të harmonizuara me natyrën dhe karakterin e zonës. Ai përmendi Jalën si një nga shembujt më pozitivë të integrimit të ndërtimeve me peizazhin bregdetar.
Arkitekti vlerësoi gjithashtu rëndësinë e rijetëzimit të fshatrave tradicionalë të bregdetit, duke i konsideruar ato si potencialin më të madh për zhvillimin e qëndrueshëm turistik në të ardhmen.
“Në Zvërnec nuk duhet ndërtuar”
Duke folur për projektet e zhvillimit në jug të vendit, Shkreli mbajti një qëndrim të prerë për zonën e Zvërnecit.
Sipas tij, për shkak të statusit të mbrojtur dhe angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të Konventës së Ramsarit, ndërtimet në këtë zonë nuk duhet të lejohen, ose duhet të kufizohen vetëm në struktura minimale dhe të përputhshme me mjedisin.
“Në Zvërnec nuk duhet ndërtuar pasi është një zonë e mbrojtur. Nuk duhet ndërtuar fare ose ndërtimet duhet të jenë prej druri, tip peshkatarësh”, deklaroi ai.
Ndërsa për Ishulli i Sazanit, Shkreli u shpreh se situata është krejtësisht e ndryshme, duke mbështetur zhvillimin e projekteve turistike në ishull.
“Sazani është histori tjetër, duhet të turistifikohet. Janë dy situata të ndryshme Sazani me Zvërnecin”, theksoi ai.
Deklaratat e Shkrelit vijnë në një kohë kur debati mbi zhvillimin e zonave bregdetare dhe balancën mes investimeve turistike dhe mbrojtjes së mjedisit mbetet në qendër të vëmendjes publike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






