Transmetuar më 18-06-2026, 22:40

Kinshasa – Numri i viktimave nga shpërthimi i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka kaluar shifrën 200, ndërsa autoritetet shëndetësore po shtojnë përpjekjet për të frenuar përhapjen e sëmundjes në rajonin lindor të vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), rastet e konfirmuara kanë arritur në 875 që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 202. Shkalla e vdekshmërisë aktualisht llogaritet në rreth 23 për qind.

Virusi po përhapet kryesisht në provincat lindore të Iturit, Kivusë Veriore dhe Kivusë Jugore, me provincën e Iturit që përbën afro 95 për qind të rasteve të raportuara.

Ndërkohë, përhapja e sëmundjes ka kaluar edhe kufijtë e Kongos. Në Ugandën fqinje janë konfirmuar 19 raste me Ebola, përfshirë dy viktima.

Autoritetet shëndetësore afrikane kanë bërë të ditur se janë rritur kapacitetet laboratorike të testimit dhe sistemet e mbikëqyrjes dixhitale, me qëllim identifikimin dhe izolimin sa më të shpejtë të rasteve të reja.

Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, ka paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet në përmasa të ngjashme ose edhe më të rënda se epidemia e Afrikës Perëndimore gjatë viteve 2014–2016, e cila shkaktoi mbi 11 mijë viktima në Guine, Liberi dhe Sierra Leone.

Për të vlerësuar nga afër situatën, ministri kongolez i Shëndetësisë, Roger Kamba, vizitoi këtë të enjte qytetin Bunia, kryeqendra e provincës së Iturit, ku zhvilloi takime me ekipet e reagimit dhe autoritetet lokale për forcimin e masave kundër përhapjes së virusit.

Nga ana tjetër, shkencëtarët e përfshirë në hetimin epidemiologjik kanë arritur në përfundimin se varianti aktual i virusit, Ebola Bundibugyo, lidhet me një transmetim të ri nga jeta e egër tek njerëzit. Sipas tyre, nuk ka prova që shpërthimi aktual të jetë vazhdim i ndonjë epidemie të mëparshme të mbetur e pazbuluar.

Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa shqetësimi për një përhapje më të gjerë në rajon mbetet i lartë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit