Transmetuar më 18-06-2026, 22:08

Itali – Një 23-vjeçar me origjinë shqiptare, i arratisur mëngjesin e së enjtes nga burgu i Brindisit, është arrestuar disa orë më vonë pas një operacioni të gjerë kërkimi të zhvilluar nga forcat italiane të rendit.

Lajmi për arratisjen e të riut shqiptar, Xhuljano Quku, u bë publik fillimisht nga sindikata e policisë penitenciare SAPPE dhe më pas u konfirmua nga autoritetet.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, i riu përfitoi nga momenti i hapjes së oborrit të shëtitjes për të kapërcyer murin e sigurisë dhe për t’u larguar nga institucioni penitenciar.

Sindikata pretendon se arratisja u lehtësua nga mungesa e personelit, pasi polici i shërbimit ishte i detyruar të mbulonte disa poste njëkohësisht.

“Polici në detyrë duhej të mbikëqyrte njëkohësisht oborrin e shëtitjes dhe repartet e tjera të burgut, përfshirë një sektor me të burgosur nën mbikëqyrje të lartë”, deklaroi SAPPE.

Sindikata ka ngritur gjithashtu shqetësimin për mbipopullimin dhe mungesën e stafit në burgun e Brindisit, duke theksuar se numri aktual i efektivëve është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë e institucionit.

Arrestimi pas disa orësh kërkime

Pas arratisjes, autoritetet nisën menjëherë operacionin e kërkimit në të gjithë provincën e Brindisit. Pas disa orësh, 23-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në Latiano, zonë ku banon e dashura e tij.

Operacioni u realizua nga agjentët e Komisariatit të Mesagnes dhe efektivët e policisë së burgjeve, me mbështetjen e karabinierëve.

Sipas mediave italiane, i riu jetonte në Mesagne përpara arrestimit të tij disa muaj më parë. Ai po vuante një dënim për vepra penale që lidhen me posedimin e lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje dhe kundërshtimin e një zyrtari publik.

Ndërkohë, SAPPE ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim pranë autoriteteve kompetente lidhur me situatën e personelit dhe kushtet e sigurisë në burgun e Brindisit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit