Transmetuar më 18-06-2026, 20:57

Itali – Vdekja tragjike e 21-vjeçarit shqiptar Samir Fermaca në Itali po hetohet tashmë në një tjetër drejtim, pas shfaqjes së një dëshmie të re që ngre pikëpyetje mbi dinamikën e aksidentit fatal.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e 13 qershorit në një rrugë rrethore, ku i riu udhëtonte si pasagjer në një motor të drejtuar nga kushëriri i tij 26-vjeçar.

Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, dy të rinjtë po lëviznin në drejtim të autostradës A4 pasi ishin nisur nga semafori i Campagnola-s. Gjatë rrugës, ata u parakaluan nga një automjet tip SUV Audi, drejtuesi i të cilit, sipas hetimeve paraprake, u kishte prerë lehtë rrugën gjatë rikthimit në korsi.

Ky veprim shkaktoi reagimin e drejtuesit të motorit, i cili e parakaloi automjetin nga e djathta. Në momentin kur mjeti dhe motori po lëviznin paralelisht, 21-vjeçari dyshohet se goditi me këmbë pasqyrën e SUV-it, duke bërë që motori të humbiste ekuilibrin.

Si pasojë e rrëzimit, Samir Fermaca përfundoi në asfalt pa ndjenja, ndërsa kushëriri i tij shpëtoi pa lëndime serioze.

Megjithatë, hetimet kanë marrë një kthesë të re pas dëshmisë së një personi që po udhëtonte pas tyre në momentin e aksidentit. Sipas tij, një automjet i dytë kaloi shumë pranë të riut ndërsa ai ndodhej i shtrirë në rrugë, duke ngritur dyshime se mund të ketë pasur një përplasje ose kontakt që nuk ishte evidentuar më parë.

Për këtë arsye, prokurorja e çështjes, Giulia Angeleri, ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes dhe për të verifikuar nëse automjeti i dytë ka luajtur ndonjë rol në ngjarjen tragjike.

Autoritetet italiane pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e aksidentit pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, autopsia do të kryhet me procedura sa më pak invazive, për të bërë të mundur edhe dhurimin e organeve të viktimës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit