

Tiranë – Protesta e qytetarëve ka vijuar për të 19-ën ditë radhazi, ndërsa këtë të enjte tubuesit u mblodhën pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë gjatë zhvillimit të seancës plenare.
Protestuesit u pozicionuan pranë hyrjes kryesore të Kuvendit, duke penguar kalimin e deputetëve të mazhorancës dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Për shkak të situatës së krijuar, shumica e deputetëve socialistë janë larguar nga godina përmes hyrjeve alternative, duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me protestuesit. Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe kryeministri Edi Rama, i cili është larguar nga Kuvendi përmes një daljeje tjetër, larg hyrjes kryesore ku ishte përqendruar protesta.
Ndërkohë, deputeti socialist Ardit Bido zgjodhi të mos largohej menjëherë nga zona, duke u përballur me protestuesit që e rrethuan dhe i drejtuan akuza e thirrje kundërshtuese. Situata u tensionua pas afrimit të disa personave pranë deputetit, çka solli ndërhyrjen e forcave të policisë.
Efektivët krijuan një kordon sigurie dhe shoqëruan Bidon larg turmës, ndërsa një protestues u neutralizua pasi tentoi të ndiqte policët gjatë largimit të deputetit.
Protesta pranë Kuvendit u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, ndërsa tensionet mes protestuesve dhe përfaqësuesve të mazhorancës vijojnë të mbeten të larta.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






