Transmetuar më 18-06-2026, 20:35

Tiranë – Momente tensioni janë shënuar pas përfundimit të seancës plenare, kur një grup protestuesish kanë rrethuar deputetin e Partisë Socialiste, Ardit Bido, në afërsi të Kuvendit.

Sipas dëshmive nga vendngjarja, ndryshe nga shumica e deputetëve socialistë që u larguan menjëherë pas seancës, Bido ka qëndruar për disa momente në zonë, ku është përballur me protestuesit e mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë incidentit, protestuesit i janë drejtuar deputetit me thirrje të forta, ndërsa ai ka reaguar duke i pyetur se për çfarë e akuzonin konkretisht. Situata është tensionuar më tej kur disa persona janë afruar pranë tij, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të policisë.

Efektivët kanë krijuar një kordon sigurie për të larguar deputetin nga zona dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes, një protestues është neutralizuar nga policia pasi tentoi të afrohej pranë efektivëve që po shoqëronin deputetin.

Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me incidentin. Videoja e ngjarjes po qarkullon në rrjetet sociale dhe ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit