

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte projektligjin për amnistinë penale me 84 vota pro, duke hapur rrugën për lirimin e menjëhershëm të 466 personave që vuajnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Sipas të dhënave të paraqitura gjatë seancës, mes përfituesve të lirimit të menjëhershëm janë 11 gra dhe një i mitur. Ndërkohë, 869 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të masës së dënimit, përfshirë 8 gra dhe një të mitur.
Amnistia parashikon që të përfitojnë burrat e dënuar me vendim të formës së prerë deri në tre vite burgim ose ata që kanë deri në tre vite dënim të pashlyer deri më 31 maj 2026. Për gratë, kufiri i përfitimit shtrihet deri në katër vite burgim të dhëna ose të mbetura për t’u vuajtur deri në të njëjtën datë.
Në seancën plenare ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa deputetët e opozitës bojkotuan procesin e votimit dhe nuk morën pjesë në sallë.
Seanca u shoqërua me ndërprerje të herëpashershme për shkak të tensioneve procedurale mes shumicës dhe opozitës. Krahas amnistisë penale, deputetët shqyrtuan dhe miratuan edhe disa ndryshime ligjore që lidhen me rregullimin e përdorimit të monopatinave dhe aspekte të tjera të Kodit Rrugor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






