Transmetuar më 18-06-2026, 18:09

Operacioni “Tjetërsimi” në Dibër, 14 masa sigurie për skemën e dyshuar të tjetërsimit të pronave, 3 persona në kërkim

Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Tjetërsimi”, pas një hetimi shtatëmujor që zbuloi një skemë të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme.

Në kuadër të këtij operacioni janë ekzekutuar 14 masa sigurie të vendosura nga Gjykata e Dibrës ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, si dhe ndaj disa shtetasve që dyshohet se kanë përfituar nga tjetërsimi i pronave.

Sipas hetimeve, personat e përfshirë dyshohet se kanë bashkëpunuar për falsifikimin e dokumenteve dhe kryerjen e veprimeve të paligjshme administrative me qëllim kalimin e pronave në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit T. D. dhe F. Ç., të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Masën “arrest në shtëpi” e kanë marrë ish-specialisti i matjeve në terren në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Dibër, K. Xh., si dhe përgjegjësi i Sektorit të Legalizimeve në këtë institucion, R. L.

Ndërkohë, masa “detyrim paraqitjeje” është caktuar për disa punonjës dhe ish-punonjës të Kadastrës së Dibrës, mes tyre hartografë, juristë dhe përgjegjës sektorësh, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në procedurat e falsifikimit të dokumenteve.

Po ashtu, masa “detyrim paraqitjeje” është vendosur edhe ndaj E. D., bashkëshortja e shtetasit T. D., e dyshuar për veprën penale të mashtrimit.

Tre persona janë shpallur në kërkim. Mes tyre është ish-drejtori dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, D. Gj., ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në burg”. Në kërkim është shpallur edhe noterja A. M., për të cilën është vendosur masa “arrest në shtëpi”, si dhe shtetasi N. U., familjar i T. D., ndaj të cilit është caktuar masa “detyrim paraqitjeje”.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Dibrës, hetimet kanë dokumentuar dyshime se punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Kadastrës, së bashku me noteren dhe persona të tjerë të përfshirë, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer procedura administrative të kundërligjshme për të kaluar prona në favor të përfituesve të caktuar.

Policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë të dyshuar kriminale.

Dibër/Finalizohet operacioni i koduar “Tjetërsimi”.

Operacioni, rezultat i një hetimi 7-mujor, për zbardhjen e një skeme kriminale të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim tjetërsimin e kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme.

Ekzekutohen 14 masa sigurie, për punonjës/ish-punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe për disa shtetas, familjarë të njëri-tjetrit, në favor të të cilëve dyshohet se janë tjetërsuar pronat.

Shpallen në kërkim 3 shtetas.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të një hetimi 7-mujor, me metoda proaktive, të ndjekur në koordinim me Prokurorinë e Dibrës, me objektiv dokumentimin e përgjegjësisë penale të disa shtetasve të përfshirë në mënyrë të organizuar në një skemë për tjetërsimin e kundërligjshëm të pronave të paluajtshme në Dibër, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja" dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “Tjetërsimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, në zbatim të vendimin të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, u ekzekutuan masat e sigurisë:

•“Arrest në burg”, për shtetasit T. D. dhe F. Ç., familjarë të njëri-tjetrit, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

•“Arrest në shtëpi”, për shtetasit K. Xh., Ish-specialist matjesh në terren në AshK, Dibër, dhe R. L., me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve në AshK, Dibër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

•“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit: -E. V., me detyrë Hartograf në AshK, Dibër; -G. H., me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimeve në AShK, Dibër, Ish-juriste e këtij sektori; -V. Gj., me detyrë Juriste në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër; -Xh. H., me detyrë Hartografe në Sektorin e Legalizimeve në AShK, Dibër; -D. D., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër; -F. P., me detyrë Hartografe në Sektorin e Shërbimeve Kadastrale në AShK, Dibër.

•Gjithashtu, e njëjta masë u ekzekutua për shtetasen E. D. (bashkëshortja e shtetasit T. D.), për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

•Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit: -D. Gj., me detyrë Zëvendësdrejtor i AShK, Dibër, Ish-drejtor i këtij institucioni, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

-A. M., me detyrë Notere, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim;

-N. U. (familjar i shtetasit T. D.), për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit me detyra aktuale dhe të mëparshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Dibër, dhe noterja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime të tjera administrative të kundërligjshme, me qëllim tjetërsimin e pronave të paluajtshme, në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijon hetimi për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit