

Plot 466 persona të dënuar do të lirohen nga institucionet e vuajtjes së dënimit pas miratimit të amnistisë penale, ndërsa qindra të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit.
Projektligji pritet të miratohet në Kuvend dhe ministri i Drejtësisë, Tonin Gogu, ka sqaruar kategoritë që do të përfitojnë nga kjo nismë.
Sipas tij, nga amnistia do të lirohen menjëherë 466 të dënuar, mes të cilëve 11 gra dhe një i mitur.
“466 persona kthehen në familjet dhe në shtëpitë e tyre. Nga këta, 11 janë gra dhe një i mitur”, deklaroi ministri.
Ndërkohë, 869 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Në këtë kategori përfshihen tetë gra dhe dy të mitur.
Ministri theksoi se amnistia nuk do të zbatohet për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke përjashtuar kështu çdo çështje që është në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
“Veprat e krimit të organizuar dhe të korrupsionit nuk përfitojnë nga amnistia”, u shpreh Gogu.
Amnistia e fundit penale në Shqipëri u miratua në vitin 2024. Në atë rast u liruan 780 të dënuar, ndërsa rreth 800 persona të tjerë përfituan ulje të dënimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






