Transmetuar më 18-06-2026, 17:14

Policia e Tiranë ka proceduar penalisht 23 shtetas pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë para Kryeministria, me argumentin se kanë penguar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të qytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve të kryera pas protestës është konstatuar se disa pjesëmarrës kanë organizuar dhe drejtuar lëvizjen e protestuesve në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, duke devijuar nga itinerari i njoftuar më herët pranë autoriteteve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 3 kanë nisur procedim penal ndaj 23 personave, ndërsa policia bëri të ditur se puna vijon për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur përgjegjësi në organizimin e veprimeve të kundërshtuara.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ndërkohë, policia njoftoi edhe për një kallëzim të depozituar nga një shtetas me inicialet R.M., i cili pretendon se është kanosur gjatë protestës pas një debati të lidhur me publikimin e një videoje në rrjetet sociale. Në lidhje me rastin është marrë në pyetje edhe shtetasi me inicialet G.P., ndërsa materialet janë referuar në Prokurori për vlerësim dhe veprime të mëtejshme.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjeve të regjistruara gjatë dhe pas protestës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit