

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri për taksën mbi pasuritë e paluajtshme, i cili parashikon ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si do të taksohen pronat në Shqipëri.
Ndryshimi kryesor është se taksa nuk do të llogaritet më kryesisht mbi sipërfaqen e pronës, por mbi vlerën e saj në treg. Kjo do të thotë se pronat me vlerë më të lartë do të paguajnë më shumë taksë, ndërsa ato me vlerë më të ulët më pak.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një Drejtorie të Përgjithshme të Taksës së Pasurisë dhe të një Kadastre Fiskale, ku do të regjistrohen dhe vlerësohen të gjitha pronat në vend.
Një pjesë e rëndësishme e reformës lidhet me masat ndaj qytetarëve që nuk paguajnë detyrimet. Sipas projektligjit, për debitorët do të aplikohen:
Kamatëvonesa për pagesat e papaguara;
Gjoba administrative;
Kufizime në marrjen e disa shërbimeve publike;
Masa të tjera administrative për mbledhjen e detyrimeve.
Qeveria argumenton se këto masa synojnë të rrisin nivelin e mbledhjes së taksës dhe të shmangin evazionin.
Nga ana tjetër, projektligji parashikon edhe lehtësira për qytetarët. Banesa e parë do të përfitojë zbritje të taksës, ndërsa përjashtime do të ketë për banesat sociale, objektet fetare, institucionet shtetërore dhe disa struktura turistike.
Kalimi në sistemin e ri nuk do të bëhet menjëherë. Për ndërtesat, taksimi sipas vlerës së tregut pritet të nisë në vitin 2029, ndërsa për tokat në vitin 2031.
Sipas qeverisë, reforma synon të rrisë të ardhurat e bashkive dhe të sigurojë më shumë fonde për investime publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






