Transmetuar më 18-06-2026, 16:12

Dy ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale Elbasan-Korçë dhe një shef i Policisë Bashkiake në Devoll janë vënë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohen për përfshirje në veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Masat e sigurisë janë ekzekutuar pas vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në kuadër të një hetimi të drejtuar nga Prokuroria e Elbasanit.

Sipas AMP-së, ndaj Glodian Gëzim Ahmetajt janë vendosur masat “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore”. Ndërsa ndaj Devis Ramadan Agos është caktuar masa “detyrim paraqitjeje”, kurse ndaj Klevis Ramadan Hoxhës janë vendosur masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Gjatë operacionit, hetuesit kanë ushtruar kontrolle në tre banesa për sigurimin e provave që lidhen me çështjen.

Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes apo pasurinë që dyshohet se është kërkuar përmes kërcënimit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.

Njoftimi i plotë i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të angazhimit të saj të pandërprerë në luftën kundër paligjshmërisë dhe garantimin e integritetit të funksionarëve publikë, ka finalizuar me sukses një tjetër operacion hetimor në kuadër të procedimit penal nr. 238 të vitit 2026, të drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, AMP ka ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj tre shtetasve të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.

Masat e sigurimit të ekzekutuara janë si më poshtë:

▪️ Glodian Gëzim Ahmetaj, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.

▪️ Devis Ramadan Ago, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Shef Sektori në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.

▪️ Klevis Ramadan Hoxha, me detyrë Shef i Policisë Bashkiake pranë Bashkisë Devoll, ndaj të cilit janë vendosur masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet procedurale të përcaktuara nga gjykata, si dhe janë ushtruar tre kontrolle banesash të autorizuara nga autoriteti procedues, me qëllim administrimin e provave dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit