Transmetuar më 18-06-2026, 12:54

TIRANË, 18 Qershor 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar drejtpërdrejt se ka pasur një proces lobimi që Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ta përjashtonte nga ndalimi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha ka zbardhur disa nga prapaskenat e këtij procesi, duke konfirmuar se procedurat ligjore dhe lobuese janë financuar nga jashtë struktures direkte të familjes së tij.

I pyetur specifikisht nga gazetarët se kush e ka paguar këtë faturë lobimi, Berisha ka bërë të ditur se pagesa është marrë përsipër nga një fondacion që mbështet Partinë Demokratike, ndonëse ka preferuar të mos bëjë publike shifrën e saktë të shpenzuar për këtë qëllim.

Berisha: S’ka pasur negociata me administratën Biden, procedura ishte e pastër

Lideri i opozitës ka mohuar të ketë pasur kontakte apo bisedime të fshehta me zyrtarët aktualë të Uashingtonit, duke theksuar se gjithçka është ndjekur përmes kanaleve të përcaktuara ligjore të lobimit në SHBA.

“Nuk kam zhvilluar negociatë me asnjë person. Ka një kod, po shkove në gjykatë, shko në gjykatë. A kanë lobuar për Berishën? Po kanë lobuar. Procedura është lobim. Nuk kam lobuar me administratën Biden, s’kam bërë asnjë lobim me administratën e Biden. Aty nuk ka procedurë tjetër përveç lobimit”, ka deklaruar Berisha përpara mediave.

Sipas tij, përpjekjet e kundërshtarëve të tij politikë për të rënduar sanksionet ndaj tij kanë dështuar, duke u ndalur vetëm te çështja e vizës. “Të vetmin sanksion që kam patur, ka qenë viza, janë përpjekur me vullnet patologjik ta kalojnë të thesari. Janë fondacion që ndihmon PD dhe ka marrë përsipër të mbrojë kauzën e PD”, ka përfunduar kreu i demokratëve, duke e konsideruar këtë zhvillim si një fitore të kauzës së tij politike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit