

TIRANË, 18 Qershor 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda nga foltora e Kuvendit në drejtim të deputetit socialist dhe ish-ministrit Damian Gjiknuri. Berisha ka aluduar publikisht se Gjiknuri ka qenë i pranishëm në një takim sekret në Aruba në vitin 2019, ku sipas tij, krerë të mafies shqiptare të drogës u mblodhën për të vendosur mbi investimin e miliardave të trafikut në ekonominë shqiptare.
Duke përfituar nga fakti se Gjiknuri i përket besimit ortodoks, lideri i opozitës i ka drejtuar një sfidë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, duke i kërkuar të ngrihet dhe të betohet mbi libër të shenjtë përpara të gjithë shqiptarëve.
Berisha: Vendose Biblën këtu dhe lahu para shqiptarëve, por nuk bën dot be!
Në fjalën e tij të ashpër, Berisha i është drejtuar me emër deputetit të mazhorancës, duke pretenduar se askush nga socialistët nuk guxon të zbardhë të vërtetën e kësaj dosjeje.
"Damian, dil e bëj be këtu që nuk ke qenë. Dil betohu këtu që nuk ke qenë në Aruba. Me asnjë shpifje nuk e lan dot veten tënde. Tani, në qoftë se ti thua nuk kam qenë, dil bëj be këtu në Bibël, betohu, vëre këtu Biblën dhe lahu para shqiptarëve. Po nuk bën dot be. Dil, provoje. Hajde, provoje!", ka deklaruar me tone të larta Berisha.
Akuzat ndaj prokurorëve: Po fshehin Olsi Ramën, Agaçin dhe Gjiknurin për llogari të Edi Ramës
Përveç sulmeve ndaj Gjiknurit, kryedemokrati ka lëshuar akuza të forta edhe ndaj prokurorëve të çështjes, duke përmendur emra specifikë dhe duke deklaruar se organet e drejtësisë po bëjnë selektim të qëllimshëm të provave për të mbrojtur kupolën qeveritare.
"Fatmirësisht dosjen e ka në dorë një armik i imi që quhet Troplini, Altin Troplini, Altin Gjoka. Ai e ka dosjen dhe ai mezi do priste të shihte. Kurse ty të fsheh ai, Olsi Ramën e fsheh ai, Engjëll Agaçin e fsheh ai. Nuk e fsheh për ty, nuk e fsheh për Engjëllin, e fsheh për Edi Ramën", u shpreh Berisha nga foltora.
Sipas kreut të PD-së, bllokimi i publikimit të këtyre të dhënave bëhet me urdhër të prerë të Kryeministrit: "Kërkoji atij që t’i publikojë për të vërtetuar që nuk je ti. Kërkoni t’i publikojmë, nuk kërkoni dot, nuk u lejon Edi Rama. Nuk u lë Edi Rama", përfundoi Berisha, duke e lënë seancën në një atmosferë tejet të tensionuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






