Transmetuar më 18-06-2026, 12:16

VENEZIA, 18 Qershor 2026 – Një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë dhe makabre ka tronditur opinionin publik në Itali dhe më gjerë. Një 17-vjeçar ka masakruar me thikë tezen e tij, profesoreshën 53-vjeçare Chiara Guerra, duke tentuar më pas t’i digjte trupin dhe ta hidhte në lumë për të fshehur gjurmët e krimit. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në qytezën San Stino di Livenza (në provincën e Venecias), në kulmin e tensioneve familjare të lidhura me çështje trashëgimie.

Trupi i pajetë i viktimës u gjet duke lundruar në ujërat e lumit Loncon. Ekzaminimi i parë mjeko-ligjor ka zbuluar një egërsi të jashtëzakonshme: 53-vjeçarja është goditur më shumë se 20 herë me thikë, kryesisht në zonën e qafës dhe të kraharorit. Gjithashtu, rrobat e saj të djegura dhe dëmtimet në lëkurë dëshmojnë përpjekjen e dështuar të të riut për të karbonizuar kufomën përpara se ta transportonte atë.

Dinamika horror: E transportoi trupin me karrocë dore

Pas një marrjeje në pyetje prej 10 orësh nga prokurorët, adoleshenti ka pranuar autorësinë e krimit, duke rindërtuar një pjesë të skenës horror. Sipas dëshmisë së tij, ai e ka qëlluar tezen brenda një kasolleje druri pranë shtëpisë. Më pas, e ka ngarkuar trupin e pajetë në një karrocë dore, ka përshkuar disa qindra metra nëpër rrugët e qytezës pa u vënë re nga askush dhe e ka hedhur atë në kanalin Malgher.

Megjithatë, hetuesit kanë vënë re disa mospërputhje të rëndësishme mes rrëfimit të autorit dhe gjetjeve në terren. Ndërsa 17-vjeçari ka pretenduar se e ka qëlluar viktimën vetëm disa herë, mjekësia ligjore konfirmoi një numër plagësh dhjetë herë më të madh, çka pritet të rëndojë pozitën e tij penale me rrethanën cilësuese të mizorisë. Po ashtu, i riu pretendoi se e kishte futur trupin në një thes, por kufoma u gjet duke lundruar e lirë, rreth 8 kilometra më tej.

Viktima tentoi të mbrohej, arma e krimit ende nuk është gjetur

Ekspertët dyshojnë se Chiara Guerra ka luftuar deri në çastet e fundit për të shpëtuar. Në krahët dhe në fytyrën e 17-vjeçarit janë konstatuar gërvishtje të shumta të pajtueshme me shenja vetëmbrojtjeje, ndërsa i riu ka përfunduar gjithashtu me një dorë të thyer.

Deri më tani, policia nuk ka rënë ende në gjurmët e armës së krimit dhe as të telefonit celular të viktimës, pasi adoleshenti ka deklaruar se i ka hedhur të dyja në ujë.

Çështja po ndiqet zyrtarisht nga Prokuroria e të Miturve në Trieste, e cila ka ngritur ndaj 17-vjeçarit akuzat e rënda për vrasje me paramendim dhe fshehje ose asgjësim të kufomës. Hetimet e mëtejshme, përfshirë autopsia e plotë dhe analizat shkencore, pritet të përcaktojnë nëse krimi ishte i planifikuar prej kohësh apo rrodhi pas një konflikti të çastit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit