

TIRANË, 18 Qershor 2026 – Situata në Kuvendin e Shqipërisë ka degraduar sërish në kaos dhe tensione të njëpasnjëshme, duke bërë që punimet e seancës plenare të ndërpriten për herë të dytë brenda pak kohësh. Edhe pse seanca rifilloi pas një pushimi të parë prej 5 minutash, rikthimi i deputetëve në sallë ka sjellë menjëherë trazira të reja.
Sapo kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar vijimin e punimeve me rendin e ditës, konkretisht me pikën që lidhej me informimin mbi Konferencën Ndërqeveritare, deputetët e Partisë Demokratike, të udhëhequr edhe nga Sali Berisha, janë ngritur në bllok për të kundërshtuar.
Përfaqësuesit e opozitës kanë rrethuar dhe bllokuar sërish foltoren e Parlamentit, duke pamundësuar marrjen e fjalës nga ministrat apo deputetët e mazhorancës, teksa kanë vijuar me replika dhe debate me tone të ashpra në distancë me kryeparlamentarin Peleshi.
Përballë kësaj situate të përsëritur bllokimi dhe pamundësie për të vijuar me axhendën e përcaktuar parlamentare, Niko Peleshi ka ndërhyrë sërish duke njoftuar një tjetër ndërprerje të seancës, këtë herë për 15 minuta, në përpjekje për të gjetur një konsensus dhe për të rikthyer qetësinë në sallë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






