

TIRANË, 18 Qershor 2026 – Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka vijuar me debate mjaft të ashpra dhe akuza të rënda politike. Deputeti Redi Muçi ka lëshuar akuza të forta në drejtim të mazhorancës socialiste, duke i kërkuar llogari drejtpërdrejt për qëndrimin e mbajtur ndaj ish-koleges së tyre, Marjana Koçeku, e cila pas largimit nga Partia Socialiste ka denoncuar kërcënime serioze ndaj familjes së saj nga grupi kriminal i Bajrave.
Muçi u shpreh i skandalizuar nga reagimi i socialistëve, të cilët në vend që t’i dalin në mbrojtje deputetes përballë kërcënimeve të krimit të organizuar, e kanë etiketuar atë si "tradhtare" për shkak të largimit nga partia.
Muçi: Deputetja iku në nder të saj, ju po fshihni krimin
Në fjalën e tij të zjarrtë nga foltorja e Kuvendit, deputeti Muçi nuk ka kursyer as tonet ironike dhe as akuzat për hipokrizi ndaj përfaqësuesve të qeverisë, duke kujtuar edhe situatën e rëndë sociale jashtë ambienteve të Parlamentit.
"Është dita e 19-të e një proteste të vazhdueshme ku 100 mijë qytetarë kërkojnë dorëheqjen dhe ju vazhdoni të bëni sikur s’dëgjoni. Deputetja juaj e dha dorëheqjen nga partia në nder të saj dhe sot po denoncon sesi i kërcënohet familja nga grupi i Bajrave. Ju thoni u tradhtuam! Në vend që t’i dilni në krah, thoni se jeni tradhtuar. Ju që thoni që mbase e hedhim lumin e kësaj radhe?", deklaroi me zë të lartë Muçi.
"Rezoluta e PE ju nxiu faqen, jeni patriotë hajdutë"
Më tej, deputeti u ndal edhe te çështja e integrimit europian të Shqipërisë, duke u ndalur te qëndrimet e fundit të mbajtura nga eurodeputetët në Bruksel, të cilat sipas tij faktojnë bllokimin e procesit nga vetë qeveria shqiptare.
"Rezoluta e PE ju nxiu faqen! Të gjithë ata janë duke na thënë sesi po bllokoni rrugën për integrimin e vendit në BE dhe bëni sikur s’dëgjoni. Vetëm në këtë parlament kam parë njerëz që shtiren si patriotë dhe hajdutë të atdheut. Dhe patriot dhe hajdut s’kam parë. Hajduti është më i ndershëm sesa patrioti hajdut", përfundoi fjalën e tij deputeti Redi Muçi, duke shkaktuar reagime dhe zhurmë në radhët e deputetëve të mazhorancës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






