

TIRANË, 18 Qershor 2026 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Kimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg". Meta kishte ankimuar vendimin duke kërkuar zëvendësimin e kësaj mase dhe lirimin nga qelia, por Apeli ka vendosur ta mbajë atë në izolim.
Ky vendim ka shkaktuar reagimin e ashpër të mbrojtësit të tij ligjor, avokatit Kujtim Cakrani. Në një deklaratë të fortë për mediat menjëherë pas përfundimit të seancës, Cakrani ka shpërthyer në akuza ndaj trupës gjykuese dhe veçanërisht ndaj gjyqtares Iliriana Dollani, duke i kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) të ndërhyjë urgjentisht.
Avokati: Tallje me sistemin, gjyqtarja ka frikë
I irrituar nga vendimi, avokati Cakrani pretendoi se gjykata ka injoruar hapur udhëzimet e Gjykatës së Lartë dhe ka zvarritur qëllimisht kërkesat e tij procedurale.
"KLGJ duhet të marrë masa ndaj gjyqtares. Nuk zbatuan vendimin e Gjykatës së Lartë. Nuk mund të tallen me procesin gjyqësor. Kam bërë kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve dhe kam marrë gjoba për këtë. Nëse u bë reforma në drejtësi, u bë pikërisht për këtë sjellje të gjyqtarëve", u shpreh Cakrani përpara gazetarëve.
Më tej, ai shtoi se gjyqtarja Dollani po shfaq hapur njëanshmëri dhe pasiguri në trajtimin e kësaj dosjeje penale me peshë politike. "Kjo është tallje që bëhet me opinionin publik dhe me të gjithë sistemin e drejtësisë, ndaj jam edhe i irrituar. Gjyqtarja Dollani ka frikë ta shqyrtojë kërkesën", përfundoi mbrojtësi i ish-Presidentit Meta.
Çështja ndaj kreut të Partisë së Lirisë mbetet një nga frontet më të nxehta të drejtësisë së re, ndërsa mbrojtja pritet të vijojë betejën ligjore në shkallët e tjera të gjyqësorit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






