

VLORË, 18 Qershor 2026 – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një inspektim të befasishëm në vijën bregdetare të qytetit të Vlorës, me fokus të veçantë në zonën e Lungomares, për të verifikuar në terren zbatimin e rregullave dhe ligjshmërisë nga subjektet private që menaxhojnë plazhet.
Gjatë kontrolleve të kryera këtë të mërkurë, janë konstatuar shkelje të rënda nga disa operatorë ekonomikë, të cilët kishin tejkaluar hapësirat e përcaktuara në kontrata, duke vendosur çadra dhe shezlongë përtej kapaciteteve të lejuara dhe duke cenuar hapësirat publike. Si rrjedhojë e këtyre shkeljeve, strukturat shtetërore kanë nisur menjëherë aksionin duke bllokuar dhe konfiskuar materialet në disa pika të plazhit.
Gonxhja: Kush luan me shtetin, luan me xhepin e vet
Ministri Gonxhja u tregua i prerë në deklaratën e tij, duke theksuar se periudha e tolerimeve ka përfunduar dhe se ky operacion monitorimi nuk do të ndalet vetëm në Vlorë, pasi aksione të ngjashme janë ndërmarrë më parë në Kavajë dhe do të vijojnë në të gjithë territorin bregdetar të vendit.
"Sot kemi përcaktuar edhe njëherë që toleranca për rastet kur cenohet, zaptohet apo preket prona publike, do të jetë zero. Ka raste kur ka lapsuse të vogla, por disa situata që gjetëm sot në Vlorë ishin vërtet shqetësuese. Sot janë konfiskuar shezlongë e çadra. Kush nuk do të luajë me shtetin dhe me xhepin e vet, është mirë që mos ta vijojë këtë tentativë zaptimi", paralajmëroi me tone të ashpra kreu i Turizmit.
Kritika Bashkisë për menaxhimin e hartës së plazheve
Përveç sanksioneve ndaj bizneseve abuzuese, ministri Gonxhja ndaloi edhe te përgjegjësia e pushtetit lokal. Ai ngriti shqetësimin për problematikat që lidhen me hartën e ndarjes së hapësirave të plazheve dhe i kërkoi zyrtarisht Bashkisë së Vlorës më shumë angazhim, koordinim dhe përgjegjshmëri në menaxhimin e vijës bregdetare, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të rregullt dhe dinjitoz për pushuesit vendas e të huaj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






