

TETOVË, 18 Qershor 2026 – Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka marrë një vendim me impakt të fortë politik dhe ndëretnik, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2007 të Këshillit të Komunës së Tetovës, përmes të cilit 11 rrugë dhe një shesh i qytetit mbanin emra të figurave dhe ngjarjeve historike shqiptare. Me këtë akt juridik, vendosen të rikthehen emërtimet e vjetra nga periudha e ish-Jugosllavisë.
Vendimi skandaloz u miratua me pesë vota pro, ndërsa kundër tij u rreshtuan dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i komunitetit turk.
Procedura ligjore ishte iniciuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941–1945, me pretendimin se ndryshimet e bëra para 19 viteve ishin realizuar në kundërshtim me ligjin dhe pa pëlqimin e domosdoshëm të Qeverisë. Nga ana tjetër, zbulohet se ndonëse këta emra ishin vendosur në tabelat fizike të rrugëve, ata nuk ishin reflektuar asnjëherë në dokumentacionin zyrtar të shtetit.
Fshihen "Frashëri" e "Dervish Cara", rikthehet nomenklatura jugosllave
Si pasojë e këtij vendimi, në Tetovë hiqen emërtimet e rëndësishme për komunitetin shqiptar si: “Iliria”, “Dervish Cara”, “Mehmet Pashë Deralla”, “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit”, “Abdyl Frashëri” dhe “Sami Frashëri”.
Në vend të tyre, në qytetin me shumicë dërrmuese shqiptare rikthehen zyrtarisht emrat e sistemit komunist dhe ushtarak jugosllav, si “Marshall Tito”, “JNA” (Armata Popullore e Jugosllavisë), “Lenin”, “Ivo Lola Ribar” dhe “Radovan Coniq”. Ky ndryshim u përshëndet menjëherë në rrjetet sociale nga iniciatori i lëndës, Darijan Sotirovski, i cili e cilësoi si fundin e "emrave të imponuar dhe të paligjshëm".
Përplasje dhe akuza të ashpra mes faktorit politik shqiptar
Ky zhvillim, i cili vjen pas tensioneve të fundit në vend lidhur me protestat për provimet e gjuhës shqipe, ka ndezur një debat të ashpër dhe reagime të menjëhershme në mbarë Maqedoninë e Veriut.
Nga ana e opozitës, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e cilësoi vendimin si një "kthim prapa" të rrezikshëm për barazinë ndëretnike. "Kjo është një goditje ndaj çdo vlere shqiptare dhe ndaj realitetit të ndërtuar pas vitit 2001. Po tentohet rikthimi i një realiteti të vjetër diskriminues", thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.
Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i cili drejtoi gishtin e akuzës nga Gjykata Kushtetuese por edhe nga vetë BDI-ja për bashkëpunim politik. Sipas tij, situata erdhi pikërisht nga dështimi procedural i strukturave të kaluara për t’i bërë këta emra të plotfuqishëm juridikisht.
Qamili bëri me dije se pushteti lokal i ka paraprirë kësaj krize duke ngritur një strukturë të posaçme. "Është formuar Komisioni për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë, i cili po punon intensivisht dhe së shpejti do të propozojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, që reflekton realitetit shoqëror të Tetovës", deklaroi ai. Zëvendëskryetari garantoi se zgjidhja e re do të realizohet në përputhje të plotë me procedurat ligjore, në mënyrë që emrat e figurave shqiptare të mos mbeten më kurrë të cenueshëm nga kontestimet juridike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






