Transmetuar më 17-06-2026, 22:55

Partia Socialiste vlerëson se nuk na një lider në krye të protestës dhe për rrjedhojë nuk ka një zë publik dhe as nuk kuptohet se çfarë po kërkojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në intervistë sonte në rtsh tha se protesta e qytetarëve ndaj qeverisë nuk ka një zë publik dhe nuk po artikulohet në atë se çfarë kërkon.

Sipas tij, këto protesta vuajnë nga mungesa e një mesazhi të qartë dhe kërkesash konkrete.

“Nuk ka asgjë të keqe të protestohet dhe ky është parimi i demokracisë që është një moment i vlerësimit të situatës në të cilën ndodhemi. Pra, njerëzit që duan të protestojnë dalin në shesh dhe protestojnë. Nuk kanë asnjë shtrëngesë nga ana e qeverisë, nuk ka asnjë përplasje”, tha Klosi.

Ai bëri një krahasim me periudhën kur PS ishte në opozitë, duke vënë në dukje ndryshimin e qasjes institucionale sot.

“Kanë ndryshuar kohërat kur ne ishim në opozitë, që duhej të ishe shumë i vëmendshëm, kishte përplasje, kishte sherre, kishte goditje derisa kishte edhe të vrarë në shesh. Sot jemi në një protestë paqësore pa asnjë ngacmim dhe kjo mund të jetë një nga arritjet e protestës”, shtoi ai.

Megjithatë, Klosi vuri theksin tek pika e dobët e lëvizjes protestuese sipas tij: paqartësia e kërkesave.

“Protesta nuk arrin të artikulojë se çfarë kërkojnë, thonë që të rrëzohet qeveria e të ikë klasa politike dhe të vijë një klasë e re politike. Mund të jetë e bukur dhe vetë klasa politike e thotë, duhet ripërtëritje, rinergjizim. Por që të dalë një zë publik dhe të kemi një arsye pse njerëzit do të duhet të besojnë që të largohet kjo klasë politike dhe ta marrë kjo klasa e re që nuk është politike, por do që të bëhet politike”, u shpreh Klosi.

Ai tha më tej se “në fakt në demokraci, politikën kemi që i çojnë gjërat përpara dhe merr vendime apo hyn në garë elektorale. Kështu do të duhet të presim derisa protestuesit të paraqesin se çfarë duan dhe se çfarë kërkojnë”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit