Transmetuar më 17-06-2026, 22:22

TIRANË / PODGORICË – Studentët nga Mali i Zi që kanë përfunduar studimet në gjuhën shqipe në universitetet e Shqipërisë nuk do të paguajnë më tarifën prej 3,500 eurosh për procesin e njohjes dhe konvertimit të diplomave.

Vendimi vjen në kuadër të një bashkëpunimi mes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi dhe institucioneve përkatëse, me synim lehtësimin e procedurave administrative dhe uljen e kostove për studentët dhe familjet e tyre.

Masa prek veçanërisht pjesëtarët e pakicës shqiptare në Mal të Zi, të cilët ndjekin studimet në Shqipëri dhe deri më tani janë përballur me procedura të kushtueshme dhe të ndërlikuara për njohjen e diplomave.

Heqja e tarifës konsiderohet një hap drejt thjeshtimit të procesit të njësimit të diplomave dhe rritjes së aksesit në tregun e punës dhe vijimin e studimeve të mëtejshme.

Që prej vitit 1991, studentë nga komuniteti shqiptar në Mal të Zi kanë përfituar kuota të lira studimi në universitetet shqiptare, në kuadër të mbështetjes për arsimin në gjuhën shqipe dhe bashkëpunimit arsimor mes dy vendeve.

Sipas autoriteteve, lehtësimi i këtyre procedurave pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin akademik dhe profesional të të rinjve, si dhe në forcimin e marrëdhënieve arsimore ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit