

SHBA – Portugalia ka nisur me një rezultat zhgënjyes aventurën e saj në Kupën e Botës, duke barazuar 1–1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në stadiumin “NRG” në Hjuston.
Skuadra e drejtuar nga Roberto Martínez e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutat e para me João Neves, pas një aksioni të ndërtuar nga krahët dhe një finalizimi me kokë brenda zonës.
Megjithatë, pas golit të shpejtë, Portugalia humbi ritmin e lojës dhe i la më shumë hapësirë kundërshtarit, i cili filloi të rrezikonte vazhdimisht portën e mbrojtur nga Diogo Costa. Presioni i RD Kongos u shpërblye në fundin e pjesës së parë, kur Yoane Wissa realizoi golin e barazimit.
Në pjesën e dytë, Portugalia u përpoq të reagojë me disa ndryshime në formacion dhe rritje të intensitetit në fazën sulmuese, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Edhe Cristiano Ronaldo u vu nën presion, duke mos arritur të lërë gjurmë në lojë.
Në minutat e fundit, skuadra portugeze rriti ndjeshëm ofensivën, duke kaluar në një skemë më agresive, por pa sukses përballë një mbrojtjeje të organizuar të kongolezëve.
Ndeshja u mbyll 1–1, duke i dhënë RD Kongos një pikë të rëndësishme, ndërsa Portugalia largohet me zhgënjim nga debutimi i saj në turne.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






